FANDOM


Figurë gjysëm-njeri gjysmë-hyjni e fesë së Shqipërisë veriore.


Dragonjtë lindin me këmishë, simbol i rizës, dhe nën sqetull kanë dy deri në katër fletë a krahë të padukshme. Kur lind dragoi, e ëma duhet ta fshehë këmishën dhe të mos i thotë njeriu tjetër se ç'ka lindur. Përndryshe, dragoi i vogël vdes menjëherë. Barinjtë e moshuar dhe gratë e moshuara në malësitë e Shqipërisë dikur thonin se e dinin cilët rreth tyre ishin vërtet dragonj. Ndër fiset veriore besohej se foshnjat që dilnin dragonj ishin të atyre parardhësve që nuk kishin kryer shkelje kurore për tre breza me radhë. Me që burimi i fuqisë së dragoit janë krahët, atij kurrë nuk i duhet thënë "T'u thafshin krahët," sepse përndryshe ai vdes menjëherë. Po të çahet për të parë ç'ka brenda, dragoi del se ka zemër prej floriri me një xhevahir në mes. Ata kanë fuqi të mbinatyrshme, të cilat bien në sy qysh kur janë foshnje në djep. Kur bien bubullima e vetëtima, dragonjtë mblidhen me djepet e tyre në vendin-takimin e dragonjve.


Qëllimi kryesor i jetës së dragoit është të luftojë e të vrasë kuçedrën. Prandaj ata e kalojnë një pjesë të mirë të moshës së rinisë duke u stërvitur me ushtrime e kërcime, në mënyrë që të mësojnë si t'i shmangen urinës dhe qumështit të kuçedrës, armët e saj kryesore. Kur e ndjejnë se po afrohet kuçedra, dragonjtë ndizen keqas dhe shpirti u largohet nga trupi në mënyrë që të jenë gati për përleshjen e ardhshme. Lufta e tyre me kuçedrat të kujton ndeshjen ndërmjet gjigandëve dhe zotave në Greqinë e lashtë. Kur njerëzit sulmohen nga kuçedra, dragonjtë, me plis në kokë, u vijnë fluturim në ndihmë dhe e vrasin kuçedrën duke e goditur me topuz, me plor, me zgjedha parmende, me heshta e me gurë, e madje me drurë të shkulur e me mure shtëpie. Sulme të tilla njerëzve u duken si vetëtima. Kuçedra ua ka frikën sidomos dragonjve foshnja, sepse këta janë në gjendje të mbrohen kundër urinës së kulçedrës duke u fshehur në djep. Madje ata i përdorin djepet edhe si armë.


Edhe kafshë meshkuj mund të lindin si dragonj. Deshët e zinj i mësyjnë kuçedrat me brirë, kurse këndesët e zinj u turren me tërbim për t'ua nxjerrë sytë. Vetëm cjepët nuk mund të bëhen dragonj kurrë.


Në krahinat e Pogradecit e të Korçës dragoi nuk përfytyrohet si më sipër, por si një kalë i bukur e i fortë me fletë, që mbron njerëzimin dhe qytetërimin.